BE nis sezonin politik të kësaj vjeshte me Forumin Vjetor të Bled-it që mbahet në Slloveni në fillim të javës që vjen.
Në këtë forum do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Rama, krahas drejtuesve të lartë të Brukselit dhe liderëve rajonalë. Ky forum i përvitshëm është kthyer në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në rajonin tonë.
Në 20-vjetorin e organizimit të tij, punimet e Forumit Strategjik të Bledit do të jenë të ndara në disa panele të veçanta.
Në ditën e parë të forumit, pasditen e 1 shtatorit, Rama do të flasë në panelin ku do të jenë të pranishëm presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, komisionerja për zgjerimin Marta Kos, kryeministri slloven Robert Golob, ai kroat Andrej Plenković dhe ai malazez Milojko Spajić.
Një fjalim për të ardhmen ka planifikuar te hënën edhe shefja e diplomacisë europiane Kaja Kallas. Forumi Strategjik i Bled-it konsiderohet si ngjarje me rëndësi për marrëdhëniet rajonale.
Pikërisht në këtë forum, ish-presidenti i Këshillit Europian Charles Michel kishte deklaruar se shtetet ballkanike do të duhej që të anëtarësoheshin në familjen evropiane deri në vitin 2030.
Që nga fillimi i tij në vitin 2006, Forumi Strategjik i Bled-it u shndërrua në konferencën ndërkombëtare kryesore në Europën Qendrore dhe juglindore, duke bashkuar pjesëmarrës nga fusha të ndryshme për të diskutuar çështje urgjente globale.