Partia Socialiste çeli sot pasdite fushatën për zgjedhjet vendore të 14 majit me sloganin “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”.
Në praninë e 61 kandidatëve të PS-së për bashkitë e vendit në sheshin “Europa” në Tiranë, Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, çeli edhe fushatën e mbjelljes së pemëve.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS-së kanë sjellë për Shqipërinë.
Ai theksoi se “sot Shqipëria është një vend krejt tjetër në sytë e botës. Për herë të parë na janë besuar edhe role të para nga OSBE, deri në Këshillin e Sigurimit në OKB”.
Rama tha se kjo është fushata e nëntë që kur ka privilegjin të drejtojë PS-në. “Kemi fituar 7 nga 8 palë zgjedhje duke humbur vetëm një, ato të 2009-tës, të cilat më shumë sesa i humbëm ne, na i morën”, tha Rama.
“Sidoqoftë të fitosh zgjedhjet është një gjë ndërsa krejt tjetër është ta kthesh fitoren e zgjedhjeve në vlerë të shtuar për vendin, njerëzit, komunitetet, gjeneratat e tjera. Prandaj shumë më tepër sa për bilancin historik të fitores me kundërshtarë sa të egër aq dhe të dobët, unë jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS kanë sjellë për Shqipërinë”, tha ai.
“Shqipëria është një vend krejt tjetër në sytë e botës. Për herë të parë në histori na janë besuar dhe role të dorës së parë në arenën ndërkombëtare që nga Presidenca e OSBE deri te ulësja e përkohshme në KS të OKB-së. Sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë”, tha Rama.

