Kreu i qeverisë, Edi Rama, me vëmendjen gjithnjë e më të shtuar ndaj lirimit të hapësirave publike, ka kritikuar një gjykatës të vendit, Klarent Demiri, pasi shprehet se ky i fundit e ka penguar ekzekutimin e një vendimi çlirimi.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ndan foton e një biznesi që ka dhe strukturë në ambientet e jashtme, në atë që cilësohet si hapësirë publike. Për këtë biznes, kryeministri cilëson se gjykatësi Demiri ka marrë vendimin që të pengohet ekzekutimi i lirimit të kësaj hapësire nga ky biznes.
Për këtë arsye, Rama shkruan se gjykatësi ka rënë ndesh me interesin publik. Ndaj, sipas kryesocialistit, nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj kësaj situate. Sa për gjykatësin Demiri, Rama shkruan se do t’i drejtohet organeve të pavaruara të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për rastet e prokurores Gjeli dhe gjykatësit Balliu.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?
Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të
Shqipërisë 2030 në BE
Një gjë është pak po e sigurtë:
Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre”, shkruan Rama në rrjete sociale.
