Gjatë takimit me të rinj në sallën “Liria” në kryeqytet, kryeministri Rama tha se “integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian sjell mundësi të barabarta për arsimimin e tyre duke nisur nga pagesat, shërbimet apo tregu i punës, njësoj si studentët evropianë”.
“Nuk keni të njëjtat kushte si të studentëve evropianë dhe pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, nëse regjistroheni në shkollë, paguani shumë më tepër sesa studentët evropianë sepse jeni të huaj. Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht”, tha Rama.
Duke iu drejtuar të rinjve, Rama tha se “ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë, si në një universitet në një nga qytetet e Shqipërisë apo në cilindo nga qytetet e Evropës”.
“Nuk paguani më shumë, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën jo më thjesht brenda kufijve të Tiranës, Shqipërisë apo të një qyteti që mund të njihni dikë, por mund të kërkoni punë në çdo qytet të Evropës”, tha Rama.
Rama theksoi se “askush nuk ju sheh dhe t’ju thotë nga je ti se këtu është BE. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush”.
“Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe raporteve mes vendit e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë europianë”, tha Rama.
