Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, heqja e sporteleve dhe dixhitalizimi i shërbimit eviton korrupsionin.

Gjatë një takimi në Rrogozhinë për rritjen e pagave, Kryeministri Rama mori shkas nga shqetësimi i një qytetari lidhur me vulosjen nga prefektura të dokumenteve të lëshuara nga zyrat e gjendjes civile dhe njësitë administrative.

Rama sqaroi se, “nuk ka më fare nevojë për asnjë lloj hallke të tillë, pasi kjo bëhet e gjitha online me vulë elektronike dhe me nënshkrim elektronik”.

“Nuk duhet ta kërkojnë. S’ka nevojë për vula prefekture. Sot çdo dokument në Republikën e Shqipërisë nuk ka nevojë për vula. Pastaj për jashtë shtetit kemi akoma probleme të vogla se një pjesë të madhe e kemi zgjidhur. Edhe për certifikatat e gjendjes civile e kemi zgjidhur me jashtë shtetit. Nuk ka nevojë për vula. Prandaj këtë çështje të lutem konkretisht shkruaje te Bashkëqeverisja dhe do të shikosh që do të zgjidhet. Nuk ka nevojë më. Këto janë gjëra që bëhen me vulë elektronike, me nënshkrim elektronik”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, nuk ka nevojë për letra dhe çdo gjë sot merret direkt.

“Për shembull hipoteka nuk ta sjell me kompjuter, por ama nuk ke nevojë fare të shkosh në hipotekë se do ta sjellë në shtëpi. Duhet ta sjellë në shtëpi, në zarf atë që kërkon. Tani, ne do t’i mbyllim totalisht sportelet e hipotekave, nuk do ketë sportele fare sepse duke i mbajtur hapur vazhdon e njëjta histori. Shkojnë njerëzit atje, ca kërkojnë vula, nuk ka, nuk ka nevojë se s’është e nevojshme. Madje, madje do ndryshojmë dhe sistemin. Nuk do merremi më, një punonjës këtu me çështjen këtu. Punonjësve që janë në hipotekë do t’i bien çështjet sipas shortit. Njëri do merret me çështjen në Shkodër, tjetri me çështje në Sarandë sepse e gjitha bëhet në kompjuter, nuk bëhet më”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “do të heqë dhe një pjesë tjetër të korrupsionit dhe të poshtërsive që bëhen në hipotekë”.

“Dua të them me këtë që njerëzit duhet ta kuptojnë dhe duhet të insistojnë aty te e-Albania. Nuk të erdhi te e-Albania apo të doli njëri atje që do vulë, atëherë nuk duhet të dorëzohesh. Çon një te Bashkëqeverisja, thuaji më kërkojnë vulë në filan vend dhe ta zgjidh problemin përsëri shteti nga brenda. Nuk ka nevojë. Faleminderit që ma ngritët. Do merrem vetë prapë me këtë punë. Se është një inerci 100 vjet e burokracisë që fol sa të duash, po nuk shtymë të gjithë në këtë drejtim, prapë inercia bën të vetën”, shtoi Rama.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights