Edi rama 56

Për herë të parë, ka një reagim të kryeministrit Edi Rama sa i takon aludimeve që kanë qarkulluar mbi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi. Teksa opozita dhe vetë kryedemokrati Sali Berishahodhi pretendimet se ai është arratisur në Itali, Rama thotë se Agaçi ndodhet në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Sipas kreut të qeverisë, njeriu që po lufton me jetën në një spital në Itali, “u bë mish për qofte për kënetën politike e mediatike”. Rama mohoi edhe akuzat për “kontroll në Kryeministri” apo “sekuestrimin e laptopit të Agaçit”.

“Përshëndetje nga Kryeministria, kam nevojë të ndaj diçka revoltuese me ju. Këneta është përballë një thatësie të madhe, kjo është shumë e qartë. Maji do të jetë përvëlues për të dhe bufi i kënetës politike e mediatike e di këtë më mirë se sa kushdo tjetër. Mobilizimi i krijesave të saj që nga njerëzillëku dhe qytetaria janë njësoj si bretkosa, zhapikë, salamandra, mushkonja, merimanga uji, kërminj kënete, nuk ka për të ndryshuar asgjë në fatin e saj të shkruar. Por ama llumi helmues i kënetës, i asaj kënete që ka mbetur nga ajo që lindi partia europiane e shqiptarëve do të mbiprodhohet deri në ditën çliruese të 11 Majit dhe zhaurima histerike i atij kolektivi speciesh të ulëta, do të shqetësojë dynjanë me akuzat, shpifjet e sajesat që do shkojnë në një nivel të ri.

Tani, prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen, të afërmit, miqtë e tij, me fermant të bufit që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë një person në arrati nga drejtësia.

Dhe me kënetën mediatike që hodhën helmin e arratisjes së tij, e dyndjes së hetuesve dhe të SPAK-ut në kryeministri, e marrjes së laptopit në Kryeministri dhe syrit që t’ju dalë bashkë me qimen e bufit. Ëngjëll Agaçi studio në Itali, drejtësi. Punoi për shumë vite në zyrën e Avokatisë në Romë, si një shqiptar dinjitoz plotësisht i integruar. U kthye në Shqipëri me ftesën time për të shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe i përket padyshim ajkës së juristëve shqiptarë.

Për atë që ai përfaqëson është vlerësuar edhe me medalje nderi nga Presidenti i Republikës Italiane. Para disa kohësh u nis në Itali për arsye shëndetësore, kaloi një kohë mes jetës dhe vdekjes. Si pasojë e një bllokimi të arterieve koronare, u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë dramatike pulmonare, dalje të mushkërive nga funksioni.

Gjë që imponoi aparaturat e frymëmarrjes së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku disa ditë mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se do të dilte nga situata e rëndë, ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e tyre. Për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë! Është e hatashme se megjithëse Kryeministria ka bërë njoftim publik, ca qime e ca jargë të bufit të folesë së tij, i sëmuri që lufton për jetën andej është bërë mish për qofte i klubeve të natës, ekran më ekran këtu, vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës, një katran me bojë i mirënjohur”, deklaroi kreu i qeverisë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights