1740226336 ramaaaa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, zhvilluan një bisedë telefonike këtë të shtunë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj këtij vendi. Lajmin e bëri publik vetë Zelenskyy përmes një postimi në rrjetin social “X”, duke e cilësuar bisedën si konstruktive dhe falënderuar Shqipërinë për solidaritetin e vazhdueshëm.

“Kam pasur një bisedë të frytshme me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Shpreha mirënjohjen për qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës. Diskutuam një sërë çështjesh, projekte të përbashkëta dhe sfida të ardhshme,” shkroi Zelenskyy.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte roli i Ukrainës dhe Bashkimit Evropian në negociatat për paqen. Në një kohë kur debati mbi përjashtimin e Kievit dhe Brukselit nga bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit ka marrë vëmendje ndërkombëtare, Zelenskyy insistoi në nevojën që Ukraina dhe BE-ja të jenë pjesë e këtyre proceseve.

“Diskutuam mbi nismat diplomatike evropiane dhe rëndësinë që Evropa të jetë e pranishme në tryezën e bisedimeve. Çdo vendim që lidhet me Evropën duhet të përfshijë Evropën, dhe çdo vendim që prek Ukrainën duhet të merret me pjesëmarrjen e Ukrainës. Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët dhe hapave të koordinuar mund të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme,” theksoi presidenti ukrainas.

Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, Shqipëria ka treguar vazhdimisht mbështetje për Kievin në arenën ndërkombëtare. Kjo përfshiu organizimin e një samiti europian në Tiranë në mbështetje të Ukrainës, si dhe një seancë të posaçme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjatë kohës kur Shqipëria mbante presidencën e tij. Përmes kësaj mbështetjeje të vazhdueshme, Shqipëria ka riafirmuar angazhimin e saj për të qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights