Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria do të çelë negociatat për grup kapitullin e parë dhe në këtë rrugëtim ka mbështetjen e presidencës hungarese të Këshillit të BE-së.
E konfirmoi edhe Kryeministri hungarez Viktor Orban pas takimit me kryeministrin Edi Rama sot (11 tetor 2024) në Budapest, duke nënvizuar se duhet të tejkalohen të gjitha pengesat dhe Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.
“Në fakt Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me BE-në në një proces që është bazuar tek merita, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani, por fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme, ndoshta edhe këtë lloj qasje. Megjithatë unë mund t’ju them që kemi patur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i parë dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë dhe jemi shumë krenar që ky moment, vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së’ tha Orban në deklaratën e tij para gazetarëve.
Nga ana e tij Kryeministri Edi Rama duke e falenderuar për mbështetjen tha se Hungaria për Shqipërinë është model e shembull nga i cili duhet të mësojmë.
Ne kemi parë Hungarinë si shembull e model në administratë që të jetë sa më efikase dhe një shoqëri ku ka mirëqënie. Duam të mësojmë gjithnjë e më shumë nga Hungaria dhe ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm.
Mes dy qeverive janë firmosur dy marëveshje mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe të administratës publike, ndërsa kryeministri zbuloi shifrën e investimeve të Hungarisë në Shqipëri
“Ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që shoqëritë tregtare hungareze po investojnë dhe numri i investimeve të drejtëpërdrejta është i pazakontë duke u krahasuar me vende si Shqipëria në madhësi. Bëhet fjalë 350 milionë euro. Një shifër domethënëse dhe mbresëlënëse sa I takon performancës së një shteti si Hungaria për një vend si Shqipërinë” tha Rama.