Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektuan sot Qendrën Spitalore Rajonale në Kavajë, që tani ofron shërbime shëndetësore për rreth 100,000 banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth, por edhe për turistët
Gjatë inspektimit e pranishme ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali. Për herë të parë në këtë strukturë spitalore është hapur Klinika e Rehabilitimit për pacientët me sëmundje kronike pulmonare si dhe pas 6 vitesh, edhe shërbimi i Reanimacionit i pajisur me aparatura të reja.
“Këtu jemi në fakt Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” njësia Kavajë. Është spitali bashkiak i Kavajës, i cili është bashkuar me spital Universitar ‘Shefqet Ndroqi” në një ombrellë administrimi pikërisht për të sjellë ekselencën e shërbimeve shëndetësore sa më pranë banorëve dhe sa më pranë qytetarëve”, tha ministrja Koçiu.
“Aktualisht jemi duke bërë një rikonstruksion të kësaj godine për të përmirësuar kushtet dhe ambientet e kësaj qendre spitalore”, u shpreh Koçiu.
“Veçoria e kësaj strukture spitale është fakti që këtu kemi edhe mjekë edhe infermierë që shërbejnë në të dy spitalet pra në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe në njësinë e Kavajës”, tha Koçiu.
Ministrja u shpreh se në këtë spital ka shërbime si kirurgjia, ortopedia, fizioterapia.
“Ka mjekë që vijnë nga spitali “Shefqet Ndroqi” këtu në Kavajë sipas planifikimit të shërbimeve. Duke ofruar kështu edhe mundësi për të shkëmbyer dije dhe njohuri me mjekët që punojnë këtu, në këtë strukturë spitalore, por edhe duke përmirësuar akoma më shumë shërbimet që ofrohen në këtë spital”, shtoi Koçiu.
“Një mundësi administrimi shumë e mirë për të optimizuar, jo vetëm infrastrukturën spitalore, pra për të bërë të mundur që dhe në spitalin e Kavajës që përdoren në maksimum sipërfaqet e kësaj infrastrukture spitalore, por edhe për të ngritur kapacitetet e mjekëve infermierëve që shërbejnë këtu duke marrë dhe duke shkëmbyer njohur profesionale dhe me mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi””, tha Koçiu.
Ministrja veçoi shërbimin e kirurgjisë, e cila theksoi ajo, “falë këtij administrimi të përbashkët ka filluar të funksionojë dhe në këtë strukturë spitalore. Nuk ka qenë deri 6 vite përpara, nuk ofrohej shërbimi i kirurgjisë në këtë spital”.
Ndërkohë, shtoi Koçiu, “dhe shërbime të tilla si rehabilitimi fizik nuk kryhej më përpara. Tashmë kemi mjekë që vijnë dhe ofrojnë shërbimin këtu nga spitali “Shefqet Ndroqi”. Kemi shërbimin e ortopedisë, janë dy mjekë ortopedë, të cilët vijnë sipas planifikimi të vizitave dhe kryejnë rehabilitimin fizik”.
Koçiu theksoi se, “kjo strukturë spitalore i shërben edhe bashkisë së Kavajës edhe bashkisë së Rrogozhinës. Janë diku tek 120 mijë banorë që marrin shërbim këtu dhe ndërkohë që një fluks të madh përballon shërbimi i urgjencës”.