Rama berisha karrigia

Lamtumira e fundit për Kryepeshkopin Anastas Janullatos mblodhi personalitete të rëndësishme të politikës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, mes të cilëve Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës, Sali Berisha. Në një atmosferë solemniteti dhe respekti, figura që për dekada kanë qenë rivalë të ashpër në skenën politike shqiptare u gjendën krah për krah në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Sali Berisha ishte i pari që mbërriti në Katedrale. Pasi vendosi një kurorë me lule pranë arkivolit të Kryepeshkopit, ai mori vendin e tij në rreshtin e parë, sipas protokollit të përcaktuar nga organizatorët e ceremonisë. Me një qëndrim serioz dhe të përqendruar, Berisha ndoqi ritualin përmortshëm në heshtje, duke nderuar figurën e Kryepeshkopit Anastas, i cili për më shumë se tre dekada drejtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Pak çaste më vonë, në katedrale mbërriti edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Pasi kreu homazhet dhe shprehu respektin e tij për Kryepeshkopin e ndjerë, Rama u drejtua për të zënë vendin e përcaktuar nga organizatorët. Rastësia, ose ndoshta rregulli i protokollit, e vendosi atë pranë Sali Berishës, me të cilin nuk ka pasur asnjë komunikim publik në muajt e fundit për shkak të përplasjeve politike.

Një karrige bosh qëndroi për pak çaste mes dy rivalëve të politikës shqiptare, por shumë shpejt ajo u plotësua nga Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, i cili kishte ardhur në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën Kryepeshkopit Anastas. Ky zhvillim krijoi një dinamikë interesante në radhët e personaliteteve të pranishëm, pasi Rama u pa duke shkëmbyer disa fjalë me Mitsotakis, si gjatë ceremonisë brenda Katedrales, ashtu edhe pas përfundimit të saj në ambientet e jashtme.

Pavarësisht dallimeve dhe përplasjeve të ashpra në skenën politike, kjo ceremoni tregoi edhe një herë se momentet e mëdha historike dhe fetare mund të bëhen pika takimi për liderët e politikës shqiptare, qoftë edhe në heshtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights