Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se portofoli energjetik i vendit ka nisur tashmë të diverisifikohet, ndërsa objektivi është që deri në fund të kësaj dekade, 30% e prodhimit të jetë nga era dhe dielli.
Gjatë prezantimit të projektit për parkun eolik të Tropojës, Rama u shpreh se nëse arrihet ky objektiv deri në vitin 2030, Shqipëria do ta ketë plotësisht të garantuar një sistem elektroenergjetik të vetëmjaftueshëm.
Ndërkohë, Rama tha se “çdo gjë që do të prodhojmë përtej nevojave do ta eksportojmë”.
“Nuk do të kemi më para të hedhura jashtë vendit për të blerë energji, por do të kemi shitje të energjisë për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë dhe familjet shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se “koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit”.
“Ne do të jemi në kategorinë e atyre jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te energjia”, shtoi Kryeministri.
Parku i energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë do të ketë kapacitet 600 MW.
