Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj paralajmërimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha për organizimin e protestave para SPAK-ut, duke përdorur një metaforë që ka ngjallur reagime në arenën politike. Kreu i qeverisë nuk e përmendi me emër liderin e opozitës, por e krahasoi me “Bufin e Kënetës”, një shpend të cilin e përshkroi si “plaçkitës folesh” dhe një rrezik jo vetëm për mjedisin e tij, por edhe për të tjerët përreth.
Duke përdorur këtë figurë, Rama nënkuptoi se Berisha përbën një kërcënim për vetë opozitën, duke i atribuar atij prishjen e strukturave politike brenda Partisë Demokratike.
Në vijim të mesazhit të tij, kryeministri shtoi se ky shpend “jeton mes zvarranikëve dhe amfibëve, me të cilët shuan urinë”, duke e përshkruar si një qenie që akumulon substanca helmuese dhe që bëhet vetë toksik për mjedisin ku vepron.
Sipas Ramës, kjo specie është gjithashtu e njohur për armiqësinë e saj ndaj diversitetit, një koment që duket se synon të krijojë paralele mes Berishës dhe qasjes së tij ndaj institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Posaçme dhe SPAK-un, të cilët ai i ka kritikuar ashpër, por së fundmi është pozicionuar në mbrojtje të tyre.
Përplasja mes dy liderëve politikë vazhdon të thellohet, teksa debati mbi protestat përpara SPAK-ut dhe rolin e opozitës në raport me institucionet e drejtësisë mbetet në qendër të vëmendjes. Nëse tensionet do të përshkallëzohen më tej, mbetet për t’u parë në zhvillimet e ardhshme politike.