Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në eventin “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku u prezantuan 14 shërbime të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, për gra dhe vajza viktima të dhunës, si dhe për fëmijë pa kujdes prindëror.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se risi kyçe e këtij procesi është përfshirja e pushtetit vendor.
“Risia vendimtare e këtij procesi ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivelin vendor dhe përfshirja e nivelit vendor në mënyrë aktive, gjë që është në hapat e para, por që në hapat e para na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë,” u shpreh ai, duke shtuar se beson në krijimin e një “sinergjie shumë të domosdoshme me kryetarët e bashkive për ta çuar këtë proces para”.
Kreu i qeverisë nënvizoi se aktualisht 65 mijë individë përfitojnë nga ky sistem.
“Që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë, është diçka shumë domethënëse. Nuk janë 65 mijë individë që i prek një sistem financimi, por i prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë,” tha Rama.
Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së familjeve në sistemin e përkujdesjes sociale, veçanërisht për fëmijët pa kujdes prindëror.
“Nga ana tjetër bazuar dhe në mënyrën se si funksionon shoqëria shqiptare, është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë shumë më tepër familjet në këtë sistem përkujdesje sociale. Të kërkojmë më shumë familje që janë ta gatshme të marrin pjesë në këtë përpjekje sociale dhe të kujdesen për fëmijë që kanë nevojë jo thjesht për në strehë, por për një strehë që ka ngrohësi familjare.
“Në këtë pikë pushteti vendor është kyç dhe kryetarët e bashkive janë aktorët kryesor për të arritur të përcjellin sensin e kësaj qasje dhe të bëjë punën e nevojshme bindëse për familjet që mund t’i bashkohen kësaj qasje për të cilat duhet të dedikojmë një fond të veçantë”, tha Rama.
Sa i përket buxhetit, Rama bëri të ditur se “buxheti është rritur 6 herë nga momenti kur ne e kemi nisur këtë përpjekje”.
“Është 17% më i lartë këtë vit se vitin e shkuar, por buxheti nuk është e gjitha. Kështu që për këtë arsye, na duhet që këtë proces decentralizmi ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar dhe të rrisim patjetër edhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror”, tha Rama.
Rama gjithashtu përmendi edhe transformimin e Shtëpisë së Përkujdesjes për Fëmijët “Zyber Hallulli” në Tiranë, duke theksuar se në bashkëpunim me bashkitë e tjera do të shqyrtohen mundësi për krijimin e hapësirave komunitare me standarde dhe cilësi.
“Ne kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren e famshme, Shtëpinë e Përkujdesje për Fëmijët “Zyber Hallulli”, në një fshat të përkujdesjes brenda qytetit, natyrisht dhe në këtë frymë është mirë që të shohim me bashkitë të tjera mundësi për të krijuar hapësira komunitare të rëndësishme nga pikëpamja e kushteve dhe e cilësisë”, tha Rama.
