Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi sot projektligjin “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja tha se, “projektligji është një ndër instrumentet kryesore strategjike që ndihmon qeverinë të arrijë objektivat ekonomikë, socialë dhe mjedisorë, nëpërmjet një sistemi të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent të shfrytëzimit të burimeve energjetike dhe mirëmenaxhimit të tyre me qëllimin për të rritur eficiencën dhe për të ulur kostot e energjisë duke u orientuar te burimet e rinovueshme të energjisë”
Sipas tij, projektligji vjen pas diskutimeve me grupet e interesit dhe i përshtatur me direktivat e BE-së.
“Shqipëria është e angazhuar në kuadër të acquis të plotësojë objektivin kombëtar për energjinë e rinovueshme. Qëllimi i projektligjit është të krijohen politika nxitëse për të rritur përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të ndërgjegjësojë konsumatorët për dobinë e madhe që sjell në mjedis dhe në shëndetin e tyre përdorimi i energjisë nga burimet e rinovueshme”, tha Bejtja.
Sipas tij, energjia e rinovueshme mbështetet nga tarifa e konsumatorëve fundorë.
“Teprica e prodhuar e energjisë do të kalojë për shitje në bursë. Ne e kemi sot 100% prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme nga burimet hidro dhe fotovoltaik së shpejti do të kemi edhe nga era dhe një pjesë e energjisë që nuk quhet e rinovueshme vjen nga importi që vjen nga fosilet”, vuri në dukje zv.ministri.
Ai tha se, pr.ligji parashikon mënyrat, që mundësojnë nxitjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë. Ku përfshihen masat mbështetëse për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë, përgjegjësitë e lidhura me balancimin dhe fleksibilitetin, skemat mbështetëse, hapat që lidhen me procesin konkurrues, masat mbështetëse për projektet demonstruese.
https://www.facebook.com/blueledED/