Fghf 1 696x321

Qeveria shqiptare pritet të miratojë një amnisti penale, si një akt ligjor të bazuar te humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet evropiane të drejtësisë.

Nismën e ka komunikuar sot ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një videomesazhi, ku zbulon edhe detaje nga kategoritë dhe numrin e përfituesve nga kjo amnisti.

“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, tha Lamallari.

Sipas tij në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.

Lamallari theksoi se nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, raste korrupsioni apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO.  Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, u shpreh Lamallari, duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.

“Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike europiane”, tha ministri Lamallari.

“Ky lajm i mirë për përfituesit direkt dhe për familjet e tyre është me siguri urimi më i mirë i këtij fundviti. Kjo amnisti që ne do të miratojmë nuk është kurrsesi një lëshim politik, por një politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe siguri afatgjatë. Drejtësia evropiane nuk matet me numrin e të burgosurve, por me parandalim, rehabilitim dhe uljen e përsëritjes së veprave penale”, vijoi ai.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, amnistia që do të miratohet në Këshillin e Ministrave nuk është një vendim i rastësishëm. Lamallari tha se “ajo vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin e drejtësisë penale, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim madhor; përdorimin e lartë të masës së paraburgimit dhe nevojën për një qasje më proporcionale dhe më humane”.

“Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme, konkretisht më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të mejëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Paraburgimi i tepruar është një shqetësim persistent në sistemin tonë penitenciar, shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Europës si dhe nga partnerët tanë evropianë. Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, është dobësi e sistemit. Kjo amnisti e korrigjon në një farë mënyrë atë dobësi teksa ne kemi ende punë përpara për një politikë penale moderne që i përgjigjet stadit në të cilin Shqipëria është sot dhe nesër si vend anëtar i Bashkimit Europian”, tha Lamallari.

“Jam veçanërisht i lumtur që në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Efekti është konkret dhe i menjëhershëm, popullimi në burgje ulet me gati 7%, përmirësohen kushtet e trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit, si dhe garantojmë më shumë respekt ndaj dinjitetit njerëzor”, pohoi ministri Lamallari.

“Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre. Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike”, përfundoi ministri Lamallari.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights