Qeveria shqiptare ka përditësuar Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve për periudhën 2021–2027. Drafti i hedhur për konsultim publik nga ministria e ekonomisë sjell një rishikim pas rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe përfshinë diplomacinë ekonomike, arsimin profesional dhe promovimin e inovacionit.
“Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve përbën orientimin kryesor të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin ekonomik afatmesëm. Ajo fokusohet në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme si dhe në tërheqjen e investimeve. Rishikimi i saj reflekton rekomandimet e Komisionit Evropian në raportin për Shqipërinë 2024.”
Strategjia fokusohet gjithashtu te bashkëpunimi mes bizneseve dhe arsimit të lartë.
“Programi për financimin e projekteve të teknologjisë dhe inovacionit u mundësua për herë të parë në vitin 2023. Ai synon bashkëpunimin mes universiteteve dhe biznesit. Qëllimi është nxitja e kërkimit dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së sipërmarrjes.”
Strategjia e re synon një zhvillim më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Autoritetet theksojnë se monitorimi dhe bashkëpunimi me sektorin privat do jenë vendimtarë për zbatimin e suksesshëm.