Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po sot mbajnë mbledhje të përbashkët në Prishtinë.
Kabineti qeveritar i Maqedonisë së Veriut është pritur nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Në takimin i cili po mbahet në periferi të Prishtinës, fillimisht kryeministri Albin Kurti u përshëndet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ndërsa pas intonimit të himneve shtetërore të të dyja shteteve, të dy kryeministrat u përshëndetën me ministrat e kabineteve qeveritare. Pjesëtarët e dy qeverive u bënë bashkë për një fotografi dhe më pas vazhduan drejtë sallës ku do të mbahet mbledhja e dy qeverive dhe nënshkruhen marrëveshjet e përbashkëta. Sipas informacioneve paraprake tema e parë midis dy qeverive do të jetë “One Stop Shop” (një ndalesë e vetme) në kufirin Bllacë dhe Jazhincë, që do ta lehtësojë dukshëm komunikacionin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në këto pika kufitare më të frekuentuara me Maqedoninë e Veriut. Tema e dytë do të jetë bashkëpunimi energjetik ndërmjet dy vendeve, ndërsa temë tjetër do të jetë edhe rruga Tetovë-Prizren. Kjo është mbledhja e dytë midis dy qeverive të vendeve, ndërsa mbledhja e parë ndërqeveritare u mbajt në shtator të vitit 2021 në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.