Pyjet janë mushkëritë e planetit, përmbajnë në brendësi të tyre 80% të biodiversitetit me pemët, bimë, insekte, zogj, kafshë, e njerëz që bashkëjetojnë në ekosisteme komplekse, duke mbuluar 1/3 e sipërfaqes së planetit Tokë.
Gjysma e tyre janë ende të paprekura, dhe një pjesë e madhe janë primare, pa gjurmë të aktivitetit human dhe thesar për biodiversitetin. Së bashku me oqeanet, përfaqësojnë linjën e parë mbrojtëse të jetës, të ndryshimeve klimatike dhe të zhdukjes së gjallesave të ndryshme, bimëve apo kafshëve.
Por jo vetëm, pemët janë vende të mbuluar me atmosferë magjike, shpesh të veshur me mite e legjenda, falë pamjes sugjestionuese dhe misterioze.
Që në fëmijërinë e hershme, në mendjen njerëzore nguliten përrallat, e bashkë me to pyjet, që në imagjinatën tonë popullohen edhe nga krijesa të mbinatyrshme, të bukura, frymëzuese, jo rrallë edhe shtëpi e krijesave hibride e të frikshme. Që nga antikiteti, pyjet me pemë të larta kanë simbolika nga më të ndryshme, me dritën e diellit që depërton, e merr konotacione pozitive përrallore e magjike, të bukura e egra.
Pyjet shtrihen kudo pothuajse në tokë, dhe për nga bukuria, bëjnë garë që mund të etiketohet edhe pa fitues, pasi janë thjesht të magjishëm, secili me veçantitë e tij. Në listën e disa prej më interesanteve dhe të bukurave, mund të rendisim skenare nga më të ndryshmit.
Një ndër ta është Pylli Otzarreta në Spanjë, që gjendet në vendet baske në Parkun Natyror Gorbea, ku pemët e lashta, bashkë me atmosferën mjegulluese, i japin këtij pylli një hije vërtet misterioze.

Ndër më magjepsësit në botë, është Pylli i Zhytur në Liqenin Kaindy në Kazakistan. Liqeni ndodhet rreth 2 mijë m mbi nivelin e detit dhe pishat e kuqe në këto ujëra të kristalta krijojnë një efekt unik dhe surreal.

Një tjetër pyll, që për veçanti duket i pabesueshëm, është Pylli i Pikturuar në Maui, Hawaii. I mbushur me eukaliptë ylber, një specie shumë e veçantë që gjendet vetëm në këtë ishull. Sikurse sugjerohet edhe nga emri, lëvorja e kësaj peme bie gjatë stinës së verës, duke bërë që trungu të marrë ngjyra të shumta, me sfumatura që variojnë nga e kuqja, tek e verdha, e gjelbra dhe ngjyrë kafe. Kur pemët lagen nga reshjet e shiut, gjithçka duket edhe më brilante dhe e pabesueshme për nga bukuria dhe larmia e ngjyrave.

Format janë nga më të ndryshmet, dhe një i tillë është pylli që gjendet mes Lituanisë dhe Rusisë. Njihet edhe me emrin Pylli i Magjepsur, i mbushur me pisha e bredha që nuk rriten drejt, por marrin forma të ndryshme dhe të çuditshme, saqë trungjet duken sikur vallëzojnë.

Qetësia që mbulon këtë pyll është hipnotizuese dhe mistike njëkohësisht, dhe ende nga ana shkencore nuk ka një argument që të shpjegojë se cila është arsyeja e formave të pemëve që e popullojnë pyllin e magjepsur. Të shumta janë legjendat, mitet e fantazitë e lidhura me këtë vend nga komuniteti i vogël ortodoks që jeton në afërsi të tij.
Ndërsa tjetër pamje ka Pylli me Gjemba, në Madagaskar, shtëpi e qenieve të çuditshme dhe të mrekullueshme, duke e bërë një ekosistem ndër më të pazakontët. Ky pyll është i veçantë për bimët e ngjashme me kaktuset, edhe se ndryshe nga to, gjembat rriten për të mbrojtur gjethet.

Caddo Lake në Louisiana të Texasit është një tjetër panorama e mrekullueshme. Caddo Lake është pylli më i madh i qiparisëve në botë, dhe prania e ujërave të liqenit i japin këtij pylli një pamje drithëruese e përrallore njëkohësisht. Emrin e ka marrë nga fiset indigjene autoktone që jetonin dikur.

Dhe padyshim Japonia me veçantitë e saj nuk mund të mungonte, ku Pylli i bambuve Arashimaya Sagano, është simbol i freskisë, i pastërtisë, i erës, i qetësisë, i dritës dhe i gjelbërimit.

Fillimisht ishte një vend që shërbente si zonë qetësie për familjet, më pas rezidencat u transformuan në tempuj e manastire budiste, dhe shtigjet e këtij pylli me pemë bambu të lashta duket sikur pëshpërisin kur lëkunden nga flladi që i përkëdhel.