Vladimir putin

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën më 15 maj në Turqi, të cilat sipas tij duhet të synojnë të sjellin një paqe të qëndrueshme, një iniciativë e mirëpritur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Thirrja vjen disa orë pasi udhëheqësit e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje për një armëpushim 30-ditor pa kushte. Megjithatë, Putini e hodhi poshtë atë propozim, duke kritikuar ashpër “ultimatumet” evropiane dhe “retorikën anti-ruse”, përpara se të përshkruante kundërpropozimin.

“Planifikojmë të flasim me Presidentin e Turqisë, Erdogan. Do të doja t’i kërkoja që të na ofrojë mundësinë për bisedime në Turqi, duke shpresuar se ai do të konfirmojë dëshirën e tij për të kontribuar në gjetjen e paqes në Ukrainë. Ne jemi të përkushtuar për negociata serioze me Ukrainën. Kuptimi i bisedimeve është të eliminohen shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe të vendoset një paqe afatgjatë dhe e qëndrueshme”, tha Presidenti Vladimir Putin.

Ndërkaq në një reagim, Turqia deklaroi se është gati të presë përsëri bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll. Në një bisedë telefonike Presidenti Tayyip Erdogan e mirëpriti deklaratën e Putinit dhe tha se Turqia ishte gati të priste negociatat që do të çonin në një zgjidhje të përhershme të konfliktit, sipas një njoftimi nga zyra e Erdoganit.

Erdogan i tha gjithashtu Putinit se një armëpushim gjithëpërfshirës do të krijonte mjedisin e nevojshëm për bisedime paqeje, thuhet në njoftim. Turqia gjithashtu priti bisedime midis Rusisë dhe Ukrainës në mars të vitit 2022.

Në një mesazh në rrjetin social Truth Social, Trump e vlerësoi propozimin e Putinit si një hap pozitiv për t’i dhënë fund luftës.

“Një ditë potencialisht e mrekullueshme për Rusinë dhe Ukrainën! Mendoni për qindra mijëra jetë që do të shpëtohen ndërsa kjo “gjakderdhje” e pafund shpresojmë të marrë fund. Do të jetë një BOTË krejt e re dhe shumë më e mirë. Do të vazhdoj të punoj me të dyja palët për t’u siguruar që kjo të ndodhë.. Një javë e MADHE po vjen!”, u shpreh Trump.

Gjithashtu edhe presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy është shprehur se shenjë pozitive që Rusia  mërr në konsideratë përfundimin e luftës.

” E gjithë bota e ka pritur këtë për një kohë shumë të gjatë. Dhe hapi i parë në përfundimin e vërtetë të çdo lufte është një armëpushim. Nuk ka kuptim të vazhdojmë vrasjet as edhe për një ditë të vetme. Ne presim që Rusia të konfirmojë një armëpushim të plotë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm, duke filluar nga nesër, më 12 maj, dhe Ukraina është gati të takohet me ta”, u shpreh presidenti ukrainas.

Ukraina dhe udhëheqësit evropianë kanë bërë thirrje se nëse Putin nuk pranon armëpushimin 30 ditor do të përballet me sanksione të reja. Putin, ka propozuar më herët disa armëpushime ndaj objekteve energjetike, për Pashkët dhe së fundmi armëpushimin 72-orësh gjatë festimeve për 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore. Si Rusia ashtu edhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të propozimeve të armëpushimit të përkohshëm, përfshirë armëpushimin e 8-10 majit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights