Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar vendosjen e një administrate të përkohshme në Ukrainë, e mundësuar nga Kombet e Bashkuara, për të mbikëqyrur zgjedhjet e reja dhe për të lehtësuar negociatat për paqe.
Komentet e Putinit, vijnë mes përpjekjeve të SHBA-së për të krijuar një zgjidhje për konfliktin duke rivendosur lidhjet me Rusinë dhe duke u angazhuar me Kievin, në bisedime të veçanta.
“Në parim, sigurisht, do të ishte e mundur, nën kujdesin e OKB-së, me Shtetet e Bashkuara, madje edhe me vendet evropiane, dhe natyrisht me partnerët dhe miqtë tanë, të diskutohet mundësia e vendosjes së administratës së përkohshme në Ukrainë.
Për çfarë? Për të mbajtur zgjedhje demokratike, për të sjellë në pushtet një qeveri të qëndrueshme që gëzon besimin e popullit dhe më pas do të fillojë negociatat me marrëveshjen e paqes”, tha Vladimir Putin.
Ai tha se përpjekjet e Trump për të vazhduar me bisedimet e drejtpërdrejta me Rusinë në kontrast me paraardhësin e tij Joe Biden, i cili shmangu kontaktet tregojnë se presidenti i ri dëshiron paqen.
“Sipas mendimit tim, presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara dëshiron sinqerisht t’i jepet fund konfliktit për një sërë arsyesh,” citojnë agjencitë ruse.
Sugjerimi i Putinit për një administratë të përkohshme duket se adreson kërkesën e tij se autoritetet e Ukrainës nuk janë një partner legjitim negociues pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka qëndruar në pushtet përtej përfundimit të mandatit të tij në maj 2024.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, i pyetur në lidhje me komentet e Putinit për administrimin e përkohshëm, u shpreh se qeverisja në Ukrainë përcaktohet nga kushtetuta e saj dhe populli i vendit.
Kjo vjen pasi udhëheqësit evropianë në “koalicionin e të vullnetit” u takuan të enjten në Paris për bisedimet për Ukrainën, ku mori pjesë edhe Zelensky. Presidenti i UKraines tha se të gjithë e kuptuan “se Rusia nuk dëshiron asnjë lloj paqeje” dhe po “zvarrit luftën”, duke shtuar se ata do të diskutojnë garancitë e sigurisë në javët dhe ditët e ardhshme.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer akuzoi Putinin se po “luan lojëra ” duke argumentuar për një afat kohor për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi dhe tha se Evropa duhet të shkojë më tej për të mbështetur procesin e paqes, duke përfshirë rritjen e sanksioneve ndaj Moskës.
Pavarësisht kërcënimeve të Rusisë, fuqitë europiane ranë dakord të dërgojnë trupa në Ukrainë sapo të arrihet një marrëveshje paqeje.
