if (window.location.pathname === "/" || window.location.pathname === "/index.php") { setTimeout(function(){ location.reload(); }, 15000); // 15 sekonda }
Ap 689ca2c819c06 1755095752

Përplasjet në Serbi kanë vijuar për të dytën ditë radhazi, teksa kundërshtarët dhe mbështetësit e qeverisë serbe janë përballur në rrugë, secila palë duke organizuar demonstratat e veta, pas më shumë se nëntë muajsh protestash të vazhdueshme kundër presidentit Aleksandar Vuçiç.

Siç shkruan Reuters, mbrëmjen e së mërkurës, në qytetin verior të Novi Sadit, mbështetësit e presidentit dhe protestuesit kundër qeverisë hodhën flakadanë dhe objekte të tjera kundër njëri-tjetrit, çka kërkoi ndërhyrjen e forcave speciale të policisë.

Protesta të përditshme po mbahen në të gjithë Serbinë, që pas vdekjes së 16 personave kur një çati në një stacion hekurudhor të rinovuar në Novi Sad u shemb në nëntorin e kaluar.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur vonë të mërkurën, Vuçiçi i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, tha para gazetarëve se 16 oficerë policie dhe rreth 60 mbështetës të SNS-së, janë plagosur gjatë protestës në Novi Sad. Ai gjithashtu akuzoi fuqi të huaja të paidentifikuara për organizimin e trazirave dhe premtoi arrestime.

“Personat që kanë shkelur ligjin do të ndalohen… Sonte kemi shmangur një skenar katastrofik të planifikuar nga dikush nga jashtë,” u shpreh Vuçiç.

Pamjet e transmetuara nga televizioni privat “N1″ tregonin flakadanë dhe fishekzjarre të hedhura ndaj protestuesve në Novi Sad nga drejtimi i zyrave të partisë së Vuçiçit. Në pamje duken gjithashtu protestues kundër qeverisë, disa me fytyra të përgjakura, të cilët deklarojnë se mbështetësit e Vuçiçit i kanë sulmuar me shkopinj dhe shufra gome.

Lëvizja opozitare “Move-Change” tha se përgjegjës për përplasjet janë mbështetësit e Vuçiçit.

“Sulmet ndaj qytetarëve me mjete piroteknike përbëjnë shkelje të të drejtës për jetën dhe për protestë” thuhet në një deklaratë të kësaj lëvizjeje.

Protestuesit fajësojnë korrupsionin për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme, me shpresën për ta larguar Vuçiçin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vitesh.

Studentë, opozita dhe organizata kundër korrupsionit kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj kundërshtarëve dhe kufizim të lirisë së medias, akuza të cilat ata i mohojnë.

Mbrëmjen e së mërkurës, studentët që udhëheqin protestat u bënë thirrje qytetarëve që të mblidhen për të protestuar para zyrave të SNS-së në qytetet kryesore të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevcin, Çaçakun dhe Nishin, pasi disa protestues u plagosën në përplasjet që ndodhën në qytetin Vrbas të martën në mbrëmje.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights