Një protestë po zhvillohet këtë të shtunë, me datë 12 korrik, para komisariatit të Policisë në qytetin e Lipjanit në Kosovë, për rastin tragjik të vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në duart e pesë policëve të Kosovës kur ata po tentonin ta arrestonin.
Vëllai i tij Albani tha që si familje ata kërkojnë një hetim të plotë për rastin dhe se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, pasi sipas tij “heshtja vret për herë të dytë.
Jemi këtu sepse dhimbja e familjes së Agonit është dhimbje kolektive, sepse heshtja vret për herë të dytë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simboli i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Ai është kujtimi që na bënë thirrje të mos mbyllim sytë, të mos dorëzohemi që të kërkojmë të vërtetën”, janë fjalët e Alban Zejnullahut në protestën e sotme.
Rasti ka ndodhur në orët e para të 7 korrikut në Lipjan, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu ishte ndaluar nga policia dhe humbi jetën në duart e tyre.
Pesë policë që janë marrë me rastin, janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Policia ka thënë se i ndjeri, dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.
Në këtë situatë ende të paqartë, familja thotë se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet. Familjarët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”