Ukrainasit dolën në rrugë për të protestuar kundër një ligji të kontestuar, i cili dobëson autoritetin e dy institucioneve kryesore kundër korrupsionit dhe i jep më shumë kontroll hetimeve përfaqësuesve të presidentit Volodymyr Zelensky. Demonstratat shpërthyen mbrëmjen e djeshme, pas miratimit të paketës ligjore nga Parlamenti, ndërsa ligji u firmos nga kreu i shtetit.
Ndryshimet e reja i japin Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën për të kontrolluar rastet që shqyrtohen nga Zyra Kombëtare Antikorrupsion (NABU) dhe Zyra Speciale e Prokurorit për Antikorrupsion (SAPO). Të dy institucionet reaguan menjëherë duke deklaruar se ligji “redukton në mënyrë efektive rolin e kreut të SAPO-s në një figurë krejtësisht nominale, ndërsa NABU humbet pavarësinë dhe bëhet një degë e Prokurorisë së Përgjithshme.”
Lufta kundër korrupsionit të thellë, që ka penguar Ukrainën për dekada, ka përmirësuar situatën në vitet e fundit dhe është një nga kushtet kryesore për integrimin e Kievit në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, shprehu dje shqetësimin e saj për këtë kundërreformë, që zgjerojnë fuqitë e presidentit dhe përbën “një hap serioz mbrapa” në krahasim me progresin e arritur nga Ukraina gjatë viteve të fundit.
Ndërkaq, në prag të një raundi të ri negociatash që pritet të nisë sot në Stamboll, presidenti Zelensky deklaroi se Ukraina “është gati të punojë në mënyrën më produktive për paqen.” Delegacionin ukrainas do ta drejtojë Rustem Umerov, ish-ministri i Mbrojtjes dhe më i fundit emëruar kreu i Këshillit të Sigurisë së Kievit. Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha kërkoi që delegacioni rus të ketë mandat për të diskutuar çështje kyçe si arritja e armëpushimit dhe përfundimi i konfliktit.
Nga ana tjetër, Moska paralajmëroi se nuk duhet pritur “mrekulli apo kthesa të papritura.” Në përfundim të dy raundeve të fundit të takimeve në Stamboll u dakordua shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i trupave të ushtarëve ukrainas. Megjithatë, Moska dhe Kievi dorëzuan memorandumet mbi përfundimin e konfliktit, që evidentojnë “pozicione diametralisht të kundërta,” sipas Kremlinit. Për më tepër, Rusia ka dërguar gjithnjë në Turqi delegacione me nivel të ulët dhe mandat të dobët.