Deputeti i PD-së Bujar Leskaj mori pjesë në protestën për mbështetjen e krerëve të UÇK-së. Mediat bënë me dije se Leskaj ka shkelur urdhrin e PD-së.
Mirëpo, Berisha në konferencën për mediat tha se nuk ka pasur urdhër nga Partia Demokratike për të marrë pjesë apo jo në protestë.
Berisha theksoi se ka shprehur konsideratat e tij ndaj kësaj kauze. “Unë mbështes luftën e drejtë të udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së dhe kam shprehur konsideratat e mia për këtë.”
Berisha dënoi ashpër manipulimin që sipas tij po i bëhet kësaj kauze nga kryeministri aktual Edi Rama. “Dënoj manipulimin e tmerrshëm me këtë kauzë të Edi Ramës dhe kujtdo tjetër”, tha ai.
Ai kritikoi qeverinë, që hodhi poshtë rezolutën për gjenocidin serb, duke cilësuar anëtarët e maxhorancës si antishqiptarë të betuar. “Të hedhësh poshtë rezolutën për gjenocidin serb tregon se je antishqiptar i betuar, një argat mjeran i nacionalizmit serb”, theksoi Berisha.
Sipas tij, shqiptarët kanë përjetuar dhunë barbare nga serbët dhe kjo është një fakt i njohur historikisht. “Shqiptarët kanë përjetuar dhunë barbare nga serbët. Trocky shkruante se Vardari ishte mbushur plot me trupa shqiptarësh pas betejës së Kumanovës”, kujtoi Berisha.
Ai përfundoi duke theksuar se gjenocidi ndaj shqiptarëve ka vazhduar gjatë gjithë historisë, përfshirë edhe periudhat më moderne.
“Gjenocidi ndaj shqiptarëve është kryer gjatë gjithë kohës, deri tek ato moderne”, përfundoi Berisha