Kreu i Grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk ka asnjë vendimmarrje të Këshillit të Ministrave për projektligjin për faljen e gjobave. Gjatë fjalës në Kuvend, Bardhi theksoi se për këtë projektligj nuk ka asnjë kërkesë për procedurë të përshpejtuar. Deputeti i PD nga foltorja e Kuvendit drejtoi gishtin nga kolegët e PS se kanë qëllime elektorale dhe se kryeparlamentarja Elisa Spiropali po kryente një shkelje të rëndë.
“Shqyrtimi i projektligjeve nuk mund të kalojë të paktën 2 javë nga momenti i propozimit, përveç rasteve të veçanta ku parashikon rregullorja. Pra duhet data 19 apo 20 ditë për të nisur shqyrtimi. Përveçse në procedura të përshpejtuara. Afatet janë dhënë që diskutimet të jenë sa më reale, deputetët të japin idetë e veta. Të kemi mundësi të thërrasim grupet e interesit, për ta bërë ligjin siç duhet. Je në shkelje të kushtetutës, është ligj me efekte financiare, është vendim i Këshillit të Ministrave, pa pasur vendim me firmë të Këshilllit të Ministrave, është shkelje e procedurës dhe e bën antikushtetues këtë projektligj. Së paku sa i takon procedurës parlamentare të procesimit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Propozime që janë në dobi të qytetarëve që do e prezantojmë kur të vijë momenti”, tha Bardhi.