Hasani 746x450

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, projektbuxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve dhe është më i madhi i alokuar ndonjëherë për shërbimin e jashtëm, ndërsa mbështet shërbimin e jashtëm dhe angazhimin në nismat rajonale dhe programet e Bashkimit Evropian.

Në prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025” për MEPJ në Komisionin për Politikën e Jashtme, Hasani u shpreh se, “viti që po mbyllim ka shënuar përparime të rëndësishme në politikën e jashtme të Shqipërisë”.

“Hapja e negociatave për anëtarësimin në BE është një ngjarje historike që ka pasur ndikim të thellë në shërbimin e jashtëm të vendit tonë. Gjatë këtij viti ne kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare duke mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo në botë”, tha Hasani.

Këto përpjekje, u shpreh ministri, “kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti si dhe një vend me potenciale për investime të huaja dhe zhvillimin ekonomik”.

 

Për të mbështetur këto nisma, vijoi ai, “ne kemi rritur praninë tonë diplomatike në rajon dhe vendet e të tjera duke hapur ambasada të tjera në Kiev dhe Baku si dhe Konsullata të Përgjithshme në Strugë dhe Ulqin”.

 

“Këto hapa janë të rëndësishëm për mbështetjen qytetarëve tanë dhe për avancimin e interesave të Shqipërisë në arenën globale”, tha Hasani.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se, viti i ardhshëm pritet të paraqesë sfida të tjera për shërbimin e jashtëm.

“MEPJ ka hartuar një projektbuxhet prej 3.8 miliardë lekësh. Buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për shërbimin e jashtëm. Ky buxhet do të financojë aktivitete të rëndësishme që lidhen me forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe partnerët strategjikë, angazhimin në nisma rajonale dhe forcimin e diplomacisë ekonomike dhe kulturore”.

Ai u shpreh se, disa nga objektivat kryesore për vitin 2025 përfshijnë avancimin e procesit të integrimit evropian, me qëllim përgatitjen për anëtarësim deri në vitin 20230, nëpërmjet reformave në institucione dhe në procese.

Një tjetër objektiv tha Hasani “është, pjesëmarrja aktive në nisma rajonale, ku përfshihet dhe Procesi i Berlinit apo Plani i Rritjes për të siguruar integrimin gradual të rajonit në BE, por që janë mekanizma që ndërthuren fuqimisht në rrugën drejt Brukselit”.

“Ruajtja e profilit të Shqipërisë në fushën e multilaterlizmit. Angazhimi proaktiv në organizatat ndërkombëtare si anëtare të Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB-së apo në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s’, tha Hasani.

Gjithashtu objektiv kryesorë, u shpreh Hasani është edhe thellimi i marrëdhënieve me partnerët strategjikë si SHBA, MB, BE, Italinë, Greqinë, Turqinë dhe shumë vende të tjera për të forcuar bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik.

Një tjetër objektiv është forcimi i diplomacisë ekonomike me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare edhe thithjen e investimeve të huaja në mënyrë që të nxitet zhvillimi ekonomik.

Rritja e rolit të diasporës shqiptare si një aset për zhvillim e vendit duke forcuar lidhjet me komunitetet shqiptare jashtë Shqipërie është një tjetër objektiv i MEPJ.

Përmirësimi i shërbimeve për qytetarëve përmes platformave dixhitale, modernizmin e shërbimit konsullor online dhe shërbimin E-Visa, që do të lehtësojnë aksesin në shërbime dhe do të sigurojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

Padyshim një tjetër objektiv, theksoi Hasani, është mbështetja për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights