Kryeministri Edi Rama do të prezantojë programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme gjatë seancës parlamentare që do të zhvillohet të enjten, 18 shtator.
Siç është raportuar më herët, deputetët do të kenë mundësi të debatojnë nga 10 minuta secili gjatë seancës, që pritet të jetë maratonë.
Ai është i përqendruar në tre shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të gjithë.
Siç edhe e ka bërë publike gjatë fushatës, qëllimi kryesor dhe motivi i ço reforme të qeverisë Rama do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë deri në vitin 2030.
“Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane”, thuhet në program.
Sa i përket rritjes ekonomike, objektivi i qeverisë janë financat e shëndosha, tatimet e ndershme dhe një klimë e mirë për biznesin. Sektorë strategjikë do të jenë turizmi, bujqësia, energjia e pastër dhe infrastruktura.
“Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne, porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore, që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi”, thuhet në program.
Objektivi i qeverisë së katër viteve të ardhshme është edhe kujdesi për fëmijët, arsimi modern, shëndetësia falas dhe e modernizuar, pensione dinjitoze dhe mbështetje sociale.
“Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme”, thuhet në program.
