Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar 320 mësuesit e përzgjedhur si Koordinatorë të Sigurisë së Cilësisë në shkolla, për të forcuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur zhvillimin profesional të mësuesve.
Gjatë prezantimit të mësuesve koordinatorë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, shpjegoi rëndësinë e dhe detyrat që do të ketë mësuesi koordinator i sigurisë së cilësisë në shkollë.
“Sot ne kemi krijuar një rol të ri brenda shkollës mësuesin koordinator për sigurimin e cilësisë, i cili do të ndihmojë në diagnostikimin e sfidave dhe problematikave që kanë të bëjnë me cilësinë e mësimdhënies. Mësuesi koordinator i cilësisë është aty për të mbështetur procesin e edukimit dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Mësuesi në rolin e koordinatorit për sigurimin e cilësisë do të jetë përgjatë gjithë orëve të mësimit i angazhuar sipas një plani ditor, javor dhe mujor për të kryer vlerësime të brendshme të mësuesve sipas departamenteve dhe lëndëve, duke përdorur instrumente vlerësimi të unifikuara”, theksoi Manastirliu.
Sipas saj, ky vlerësim do të realizohet përmes metodave të ndryshme, si biseda ballë për ballë me mësuesit për sfidat dhe teknikat e reja të mësimdhënies.
Ministrja Manastirliu shpjegoi se është në proces edhe modernizimi i kurrikulës shkollore për t’iu përshtatur standardeve të reja dhe për të rritur efektivitetin në mësimdhënie.