Një rast mashtrimi shënohet në Lezhë, ku një 33-vjeçare, duke u prezantuar si përfaqësuese e një shoqate bamirësie, merrte kredi me të dhënat e kartës së identitetit të qytetarëve.
Në pranga ka rënë shtetasja D.C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë.
Sipas njoftimit të policisë, e reja prezantohej tek qytetarët me fëmijë të mitur si përfaqësuese e një një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur. Këtyre qytetarëve, ajo u fotografonte kartën e identitetit, duke u premtuar pagesa mujore. Më pas me këto ID, aplikonte dhe merrte kredi nga institucionet financiare.
Në cilësinë e provës, sekuestrohen dokumentet bankare që tregojnë transfertat e parave të përfituara nga kreditë mashtruese.
Sakaq, vijon puna për identifikimin dhe vënien përballë përgjegjësisë e të gjithë atyre personave që janë përfshirë në këtë skenë mashtrimi.
“DVP Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kredia”.
Iu merrte foto të kartës së identitetit, shtetaseve, duke i mashtruar se ishte përfaqësuese e një shoqate bamirësie, dhe me të dhënat e tyre merrte kredi, vihet në pranga 33-vjeçarja.
Arrestimi i saj, rezultat i administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve për këtë skemë mashtrimi.
Sekuestrohen dokumente bankare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, si rezultat i administrimit të kallëzimit të disa shtetaseve, për një shtetase që iu kishte marrë të dhënat personale, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësuese e një shoqate bamirësie, finalizuan operacionin policor të koduar “Kredia”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasja D. C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se shtetasja D. C. iu prezantohej shtetaseve me fëmijë të mitur, si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe iu merrte atyre të dhënat personale (foto të kartës së identitetit), duke iu premtuar pagesa mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre, aplikonte dhe merrte kredi në institucione financiare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë tranfertat e parave të përfituara nga kreditë, në një llogari që administrohej nga shtetasja D. C.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme“