Në kuadër të turit ballkanik, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen qëndroi të enjten në Shkup ku bisedoi me krerët e lartë shtetërorë për sfidat e këtij vendi lidhur me integrimin evropian.
Von der Leyen vuri në dukje nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapin rrugën Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave mbi grup-kapitujt themelorë. Ndërkohë, autoritetet maqedonase theksojnë se integrimi në BE mbetet synimi parësor i vendit, por siç theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, “nuk duhet lejuar përulja e qytetarëve që në të ardhmen të përballen me kërkesa të cilat do të binin ndesh me idetë mbi të cilat mbështetet vetë BE-ja”. Maqedonia e Veriut do të marrë mbi 750 milion euro nga Plani i Rritjes së BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitoi Shkupin në një kohë kur procesi i integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian ka ngecur si rezultat i thellimit të mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që nga ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha në një konferencë shtypi se Komisioni dhe Bashkimi Evropian do të ndihmojnë që Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimet që ka marrë në çdo hap të procesit dhe se ajo po punon fort për hapjen e shpejtë të negociatave për grup-kapitujt themelorë me këtë vend.
“Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen dhe për mua është me rëndësi se ato bëhen për interesin e Maqedonisë së Veriut. Prandaj, dua të konfirmoj dhe t’ju siguroj se do të bëjmë çdo hap përpara në mënyrë që të mbërrijmë tek qëllimi i përbashkët. Ju mund të mbështeteni tek ne”, iu drejtua zonja von der Leyen kryeministrit maqedonas, duke theksuar rëndësinë “e shikimit drejt së ardhmes dhe jo kthimin kah e kaluara”.
“Duam ta shkruajmë kapitullin e ardhshëm së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski shprehet se Bashkimi Evropian është synimi i integrimit dhe interesi i çdo qytetari të vendit të tij.