Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabizhili tha të dielën se ajo nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të shtunën në Gjeorgji. Ajo tha se vendi ka qenë viktimë e një operacioni special rus.
Po kështu vëzhguesit evropianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis “përçarës” me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e zgjedhjeve. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet “nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian”.
Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të dielën se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.
Zyrtarët e OSBE-së thanë gjithashtu se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë veçanërisht në zonat rurale.
Të dielën udhëheqësit e dy prej partive opozitare, Tina Bokuchava dhe Giorgi Vashadze thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin dhe paralajmëruan ndër të tjera, zhvillimin e protestave.
“Zgjedhjet u vodhën nga oligarku prorus Bidzina Ivanishvili dhe ne, Lëvizja Kombëtare për Unitet nuk do t’i pranojmë ato. Jemi këtu me presidenten, për t’u konsultuar me të dhe do të vazhdojmë konsultimet intensive. Shpresoj që opozita demokratike properëndimore do të bashkohet”, tha udhëheqësja e partisë opozitare Lëvizja Kombëtare për Unitet, Tina Bokuchava.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe udhëheqësi i partisë Ndërtimi i Straegjive, Giorgi Vashdze.
Rezultati, shihet si një goditje për gjeorgjianët properëndimorë, që e shihnin procesin si një zgjedhje mes partisë në pushtet, që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe opozitës, që synon të përshpejtojë integrimin evropian.