Urimet për nisjen e vitit të ri shkollor, presidenti Bajram Begaj, i bëri nga shkolla e tij e vendlindjes në fshatin Gosë.
Sipas një njoftimi nga presidenca, gjatë kësaj vizite Begaj u takua me nxënës, mësues e prindër. Ai u uroi atyre suksese në mbarëvajtjen e mësimit dhe edukimit, duke theksuar rëndësinë që ka shkolla në formësimin e individit dhe shoqërisë dhe në kultivimin e vlerave njerëzore.
“Një shkollë e fortë formëson qytetarë të ditur. Qytetarët e ditur ndërtojnë shoqëri të zhvilluar, të ardhme të ndritur dhe Shqipëri të fortë. Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”.
Presidenti përcolli dhe një mesazh të veçantë për nxënësit e klasës së parë, më të cilët ndau eksperiencën e tij në shkollën e fshatit Gosë, duke u shprehur se këtu fillon baza e dijes, mësimet e para, ndërtohet një përvojë e pasur dhe miqësi të reja.
“Fillimi i vitit shkollor është gjithmonë emocion i madh, pikënisje që shënon një kapitulli të ri në jetën tuaj dhe të mijëra nxënësve.”, shtoi Begaj.
Ndërsa theksoi integrimin e shkollave me risitë teknologjike, Presidenti theksoi në mesazhin e tij rëndësinë që ka shkolla në ruajtjen e vlerave njerëzore:
“Shkolla nuk është vetëm vendi ku mësojmë lëndë dhe libra, është vendi ku formësojmë vlera. Çdo shtator është sfidë, përgjegjësi dhe mundësi para të gjithëve: nxënësve, mësuesve, prindërve dhe shoqërisë. Teknologjia dhe rrjetet sociale janë mjete të fuqishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë respektin, miqësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin”.
Presidenti theksoi rëndësinë e respektit të ndërsjellë në shkollë dhe rolin e familjes në edukim. Ai uroi nxënësit të përkushtohen me pasion dhe kureshtje ndaj dijes, duke e vlerësuar shkollën si themel për të ardhmen. Mësuesve u shprehu mirënjohje për rolin e tyre jetik dhe fisnik në ndërtimin e brezave.
Gjithashtu, Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e gjuhës shqipe si faktor kyç për lidhjen dhe suksesin në një epokë të dominuar nga teknologjia: “Si President i kam kushtuar rëndësi të posaçme gjuhës dhe alfabetit shqip. U gëzova vërtet shumë kur mësova nga drejtoresha juaj që jeni ndër kampionët e shkollave në këtë lëndë. Në kohën kur mbizotëron teknologjia dhe imazhi është i plotfuqishëm, gjuha shqipe mbetet çelësi i ndërlidhjes dhe i suksesit afatgjatë“.