Zbulohet në Fushë Arrëz, një lokal ku zhvillohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit, ndërsa në pranga ka rënë punonjësi i biznesit, ndërsa u shpallën në kërkim dy organizatorët. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet P. P., 30 vjeç, banues në Fushë Arrëz, punonjës i lokalit.
Sekuestrohen 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë. Arrestohet në flagrancë një 30-vjeçar, punonjës i lokalit. Shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar si organizatorë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksionit të Mbështetjes Operacionale Hetimore të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gaminator”.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestua në flagrancë shtetasi P. P., 30 vjeç, banues në Fushë Arrëz, punonjës i lokalit;
-u shpallën në kërkim shtetasit I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrollit në lokal, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
