Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me situatën në News24, godinën e së cilës policia ka kërkuar të lirohet pas një urdhri të gjykatës. Kryetari i opozitës akuzoi për këtë rast kryeministrin Edi Rama duke e konsideruar një “akt prej xhelati ndaj fjalës së lirë”.
“Në traditën e babait të tij biologjik Kristaq Rama që në 10 gusht 1988 firmosi varjen publike në litar të poetit disident Havzi Nela, Ramaduro më 11 gusht 2025 rrethoi me polici dhe urdhëroi xhelatët e tij të fjalës së lirë të ndërpresin sinjalin e televizionit të News24, një nga burimet kryesore e të pakta të informacionit të pavarur në Shqipëri.
Duke prerë në mënyrë brutale sinjalin e News24 në një akt hakmarrje primitive ndaj këtij televizioni, Edi Rama kërkon të mbrohet nga lajmi i paanshëm, debati i hapur dhe kritikat e bazuara ndaj tij dhe narkoqeverisë së tij dhe investigimet e guximshme gazetarëve të këtij televizioni të lidhjeve të tij dhe ministrave të tij me krimin dhe drogën dhe aferave të tyre korruptive”, tha Berisha në një postim në rrjetet sociale.
Ai kërkoi largimin e forcave policore nga territori i televizionit si dhe lirimin e sinjalit të televizionit.
“Partia Demokratike ju bën thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë të dënojnë me forcën më të madhe aktin primitiv të Edi Ramës, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit News24”, tha Berisha.
Kujtojmë se në lidhje me këtë rast, Avokatura e Shtetit njoftoi se Gjykata e Apelit Administrativ ka urdhëruar shoqërinë që të lirojë godinën, pasi prej tre vitesh ka përfunduar kontrata e qirasë.