Këto janë momentet kur forcat operacionale arrestojnë në Korçë R.C., i cili ishte në kërkim për plagosjen e 2 personave, krim i ndodhur para një muaji në Sarandë.
Agjentët, pasi morën informacion për vendndodhjen e shumë të kërkuarit, organizuan operacionin për ndalimin e tij.
43-vjeçari po lëvizte me një mjet Audi, ku bashkë me të u arrestua edhe A.I., i cili akuzohet se e ka strehuar gjatë arratisjes. Klan News mëson se ai ka pasur me vete një armë pistoletë me fishekë në fole.
Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohen ndodhi në qendër të qytetit të Sarandës, ku mbetën të plagosur E.L. dhe G.H. Ky i fundit u arrestua pasi iu gjet një armë pa leje.
Policia gjeti në vendngjarje 4 gëzhoja. Në njoftimin për shtyp deklaroi se sherri nisi fizikisht për motive të dobëta dhe më pas agravoi në përdorimin e armës.