Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka organizuar këtë të premte, më 24 tetor, një tryezë diskutimi me të gjitha institucionet kryesore që luajnë rol në sigurinë rrugore. Takimi u fokusua në hartimin e kuadrit ligjor që do të rregullojë përdorimin e monopatinave elektrike.
Pas takimit, ministrja Koçiu bëri një postim në rrjetet sociale, ku theksoi se pezullimi i lëvizjes me monopatina ishte një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një rregulloreje të qartë dhe të detajuar.
Ministrja shtoi se qëllimi i krijimit të këtyre rregullave do të mundësojë përdorimin e monopatinave në mënyrë të sigurt dhe të organizuar, duke mbrojtur qytetarët dhe duke përshtatur këtë formë të re transporti me nevojat e qyteteve moderne.
Ndalimi i monopatinave i përkohshëm
Sjellim ndërmend se nga e hëna e 13 tetorit qarkullimi i monopatinave elektrike në rrugët e vendit është i ndaluar. Vendimi për ndalimin e monopatinave sipas ministres Koçiu do të jetë i përkohshëm, deri në momentin që do të jetë gati manuali me kriteret e përdorimit të tyre.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si një mënyrë biznesi, për dhënien me qira ditore, duhet të kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi, do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të qartësojmë një herë e përgjithmonë se cilat janë korsitë, rrugët, apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo. Si dhe, kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndiçimi, apo shpejtësia e lejuar. Megjithatë, deri në hartimin e një kuadri të plotë rregullator, interesi publik dikton një ndërhyrje të menjëhershme”, shprehej Koçiu.
“Burim aksidentesh”, eksperti i prerë për monopatinat elektrike
Shqetësimi mbi monopatinat u ngrit edhe nga eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho.
Ai shprehej se këto mjete, të motorizuara dhe të afta për të arritur shpejtësi deri në 85 kilometra në orë, po përdoren në mënyrë të papërgjegjshme nga fëmijë të moshës 7-8 vjeç, duke rrezikuar sigurinë publike në zona urbane. Eksperti theksoi se fëmijët shpesh lëvizin me monopatina në trotuare dhe në mes të turmave të njerëzve, pa asnjë ndjesi përgjegjësie apo ndërgjegjësim për rrezikun që paraqesin.
Hasho kërkonte ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të këtyre mjeteve nga të miturit dhe vendosjen e një kuadri ligjor të qartë për përdoruesit dhe rregullat e qarkullimit të monopatinave në hapësirat publike, moshën e përdorimit dhe rrugët ku mund të lëvizin.
Vetëm në vitin 2024, në të gjithë vendin u regjistruan 991 aksidente me monopatina, me disa përdorues që humbën jetën dhe një numër të lartë të plagosurish.
Problematika e përdorimit të tyre nuk haset vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të rajonit dhe Bashkimit Europian si Franca, Gjermania dhe Italia, të cilat kanë marrë masa të forta ndaj tyre.
