Mes pesë personave të arrestuar për “Inceneratorët” është edhe zëvendëspresidenti i FSHF-së, Arben Dervishi.
Po ashtu, mësohet se urdhër-arrest është lëshuar edhe për Mirel Mërtirin, por ky i fundit nuk është arrestuar ende.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 11 urdhër arreste për aferën e inceneratorëve, konkretisht për inceneratorin e Fierit.
Pesë persona kanë rënë në pranga deri tani, ndërsa për 5 të tjerë ka informacion që ndodhen jashtë territorit shqiptar dhe janë në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë, një person tjetër është në kërkim brenda vendit.
Operacioni është në vijim e sipër dhe janë duke u kontrolluar disa banesa.
Deri tani për aferën e inceneratorëve kanë rënë në pranga ish-zyrtarë të lartë si ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako.
Ndaj Kokës janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë eurosh për ndërtimin e 2 inceneratorëve.
Së fundi, Bllako u rikthye në qeli, pasi SPAK ka ankimuar vendimin për lirimin e tij, duke kërkuar rikthimin e tij në burg.
Bllako ishte lënë në masën “arrest shtëpie” për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Fierit vetëm 6 muaj pasi u burgos.
Masa e sigurisë për Bllakon u ndryshua pas pretendimeve se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.

