Reshjet e shiut me intensitet të lartë që kanë rënë në jug të vendit, veçanërisht në qytetin e Himarës, kanë shkaktuar daljen nga shtrati të përroit që kalon në mes të qytetit.
Si pasojë, janë përmbytur rrugë periferike, ndërsa uji ka depërtuar edhe në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë.
Në katin e parë të këtij institucioni ka hyrë ujë, ndërkohë që efektivët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke ngritur pajisjet nga toka për t’i shpëtuar nga dëmtimi.
Situata vijon të mbetet problematike, pasi reshjet kanë qenë intensive dhe të pandërprera.
Bashkia e Himarës i bëri thirrje qytetarëve që të shmangin çdo lëvizje që nuk është e domosdoshme.
“Ju bëjmë thirrje që të shmangni çdo lëvizje që nuk është e domosdoshme, qoftë me automjete dhe me këmbë.
Qëndroni në mjedise të sigurta derisa kushtet e motit të përmirësohen.
Bashkia dhe çdo punëtor dhe mjet i saj janë në krye të detyrës për të ndikuar në zbutjen e pasojave të motit dhe parandalimin e dëmeve në pronën publike dhe private”, njoftoi bashkia.
