Shkurtohet koha dhe procedurat e aplikimit për pajisjen me dokumente biometrike për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pas nënshkrimit të marrëveshjes e cilësoi si një standard të ri që po aplikohet në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët shqiptarë.
“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë i bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, nënvizoi ai.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi bashkëpunimin me Ministrin e Brendshme dhe IdentiTek për vëmendjen por edhe fleksibilitetin maksimal në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë më të pakta.
Sipas administratores së “IdentiTek”, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike, format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër.