Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen ndaj dy specialistëve të inxhinierisë klinike pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” në lidhje me zjarrin që përfshiu ambientet e spitalit.
Sipas hetimeve, dy specialistët, E.K. dhe E.Sh., nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre në përputhje me rregulloret teknike, duke mos siguruar masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të tilla. Zjarri, i cili ra më 29 shkurt 2024 në katin e dytë të “Urgjencës së Re” të QSUT-së, në dhomën teknike, u shkaktua nga mungesa e një projekti të detajuar për instalimin dhe zhvendosjen e burimit emergjent të UPS-ve dhe baterive, si dhe nga moszbatimi i standardeve të sigurisë për mbrojtjen nga zjarri.
Gjithashtu, hetimet treguan se specialistët nuk kishin marrë masa për të siguruar mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore dhe funksionimin e tyre sipas udhëzimeve të prodhuesve. Ata nuk kishin hartuar një plan teknik për ajrosjen dhe ventilimin e UPS-ve, duke lejuar instalimin e tyre në një ambient që nuk plotësonte kushtet e duhura teknike dhe të sigurisë.
Pasojat e këtij incidenti ishin të rënda, duke shkaktuar bllokimin e shërbimit në repartin e urgjencës për më shumë se tre muaj. Për këtë periudhë, pacientët u detyruan të marrin shërbimin në spitale të tjera, si “Shefqet Ndroqi”, Spitali Rajonal i Shkodrës dhe Spitali Memorial i Fierit.
Me përfundimin e hetimeve, tashmë mbetet në dorën e gjykatës të vlerësojë përgjegjësinë penale të dy specialistëve të inxhinierisë klinike, të cilët akuzohen se kanë neglizhuar detyrat e tyre, duke kontribuar në një situatë të rrezikshme për pacientët dhe stafin mjekësor.