Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në Draçin të Shkodrës, ku nënstacioni elektrik është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qytetit dhe dëme të konsiderueshme ekonomike.
Sipas Drejtorit të Zjarrëfikëses në Shkodër, Agim Ponari, ngjarja nisi me një shpërthim në një kabinë elektrike në zonën e Kirasit, pasuar nga shpërthime në tre kabina të tjera si pasojë e mbingarkesës. Në fund, flakët përfshinë edhe nënstacionin elektrik të Draçinit.
“Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë sapo morën njoftimin për shpërthimet. Ekipet tona arritën të lokalizojnë dhe shuajnë të gjitha vatrat e zjarrit, por dëmet ishin të mëdha,” deklaroi Ponari.
Përveç ndërprerjes së energjisë, flakët shkaktuan dëme të rënda materiale. Një familje në afërsi të nënstacionit raportoi se zjarri përfshiu objekte zbukurimi të vendosura në oborr, duke shkaktuar humbje që kapin vlerën e mbi 10 milion lekëve të vjetër.
Një e moshuar që ndodhej në banesë me një fëmijë të vogël tregoi se ishte traumatizuar nga ngjarja, duke pasur frikë për një shpërthim të mundshëm të vajrave të transformatorëve. “Ishte një moment tmerri. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe frika ishte e madhe,” shprehet ajo.
Familjarët kanë kërkuar dëmshpërblim nga OSHEE, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe jashtë mundësive të tyre për t’u përballuar.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e rrjetit elektrik në qytet dhe nevojën për mirëmbajtje më të rregullt të infrastrukturës energjetike. OSHEE ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me incidentin dhe kërkesat e banorëve.