Uthull
Po përhapet shpejt trendi, ku detergjentët po zëvendësohen me mënyra më popullore, të cilat duket se po i sfidojnë në lidhje me efektshmërinë e tyre. Teksa interneti dhe rrjetet sociale po përhapin alternativa tejet praktike për pastrim dhe dezinfektim sipërfaqesh të ndryshme, pastrimi me uthull po shihet si një alternativë më e sigurt dhe më “ekologjike” ndaj produkteve “toksike” të pastrimit. Vlen të përmendim se uthulla është thjesht alkool i fermentuar, i cili është përdorur prej kohësh si ruajtës ushqimor, por edhe si pastrues në hapësirat e shtëpisë. Sipas Eric Beckman, një inxhinier kimik dhe profesor emeritus në Universitetin e Pitsburgut në Pensilvani, përdorimi më i mirë i pastrimit për acidin acetik, nga e cila është e përbërë kryesisht uthulla, është pikërisht si një pastrues gëlqereje. “Gëlqerja dhe ndryshku, në fakt përbëhen nga jone të caktuara që treten më lehtë në lëngje acidike si uthulla”, thotë ai. Beckman përdor vetë uthullën për të hequr gëlqeren nga pasqyrat, ndërsa mikrobiologu Dirk Bockmühl i Universitetit të Shkencave të Aplikuara Rhine-Waal të Gjermanisë preferon të përdorë lëng limoni, i cili përmban acid citrik, për të cilin ai thotë se është një pastrues më efektiv dhe ka aromë më të mirë. Beckman gjithashtu pohon se uthulla nuk funksionon për gjithçka dhe se sapuni vepron më mirë në heqjen e shtresave vajore në enë, kurse soda vepron më mirë kundër vajrave të përpunuar, që janë ngjitur në sipërfaqe gjatë gatimit. Megjithatë, shpesh publikohen video të ndryshme, ku uthulla dhe soda e bukës përzihen së bashku për të rritur efektshmërinë e pastrimit apo dezinfektimit. Sipas Beckman, përzierja është kimikisht mjaft e padobishme, pasi acidi i uthullës dhe baza e sodës së bukës, në mënyrë efektive anulojnë njëra-tjetrën. “Së bashku, ato nuk të japin asgjë”. Me anë të një studimi në vitin 2020, Bockmühl dhe kolegët e tij testuan uthullën kundër një përzgjedhjeje bakteresh, virusesh dhe kërpudhsh që shkaktojnë sëmundje. Bockmühl zbuloi se efektet e saj antimikrobike fillojnë vetëm në një përqendrim acidi acetik prej 5%, përqendrimi i tij në uthullën e pastër. Dhe ishte plotësisht efektive vetëm në përqendrime të distiluara prej 10%, të cilave studiuesit i shtuan një pikë acidi citrik për eliminimin e pesë baktereve të zakonshme, duke përfshirë Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus, si dhe një myk, një maja dhe një lloj të dobësuar të virusit vaccinia. Megjithatë Beckman thekson faktin se ekzistojnë shumë baktere që zhvillohen në acide dhe gjithashtu disa myqe dhe viruse janë rezistente ndaj acidit acetik. Sipas tij, sapunët janë më efektivë kundër baktereve, dezinfektantët standardë funksionojnë më mirë kundër viruseve dhe myqeve, ndërsa zbardhuesit eliminojnë gjithçka, por mbeten të pasigurt nëse përdoren në mënyrë të gabuar. Bockmühl thekson se, edhe për mikrobet që uthulla i vret, nevojitet një përqendrim relativisht i lartë. “Përqendrimi nuk do të jetë i përshtatshëm nëse thjesht hidhni një lugë çaji uthull në tretësirën tuaj të pastrimit”, thotë Bockmühl. Sipas ekspertëve, përdorimi më i mirë dhe efikas i uthullës mbetet në sipërfaqet e qelqit dhe qeramikës, si tualetet dhe lavamanët prej çeliku inoks. Në librin e kimistit italian Dario Bressanini, bëhet e ditur se uthulla gërryen gurin natyror dhe metalet si bakri, bronzi dhe bronzi. Ajo gjithashtu nuk rekomandohet në lavastovilje dhe lavatriçe, pasi mund të dëmtojë guarnicionet e gomës që ato përmbajnë, si dhe nuk rekomandohet në pastrimin e pllakave apo parketit. Nicola Carslaw, profesoreshë e kimisë së ajrit të brendshëm në Universitetin e Jorkut në Mbretërinë e Bashkuar, shpreh shqetësimin e saj se si pastruesit profesionalë ndikojnë në ajrin në shtëpitë dhe banesat tona, duke u bërë shpeshherë shkak për problematikën shëndetësore të astmës. Në lidhje me përdorimin e uthullës, Beckman shprehet se “Forca e saj qëndron në thjeshtësinë e saj, uthulla kalon çdo shkallë qëndrueshmërie sepse është e thjeshtë dhe është e degradueshme”. Pastruesit profesionalë mund të përbëhen nga më shumë se një duzinë përbërësish të ndryshëm, shumë prej të cilëve prodhohen industrialisht në procese, ndaj sipas saj, uthulla ka më pak ndikim.
FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights