Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të marrë jetë të panumërta, Papa Françesku është takuar për herë të tretë në Vatikan me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku foli me presidentin Zelensky për vuajtjet e fëmijëve ukrainas, duke theksuar se shumë prej tyre kanë humbur aftësinë për të buzëqeshur.
Bëhet e ditur se takimi 35 minuta u zhvillua në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Është takimi i tyre i katërt pas një takimi dypalësh më 14 qershor në margjinat e G7 në rajonin e Pulias të Italisë dhe pas takimeve në Vatikan më 13 maj të vitit 2023 dhe para pushtimit të plotë rus të Ukrainës, më 8 shkurt të vitit 2020.
Sipas një deklarate tjetër të lëshuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, bisedimet në Sekretariatin e Shtetit iu kushtuan “gjendjes së luftës dhe situatës humanitare në Ukrainë”, si dhe “mënyrave që mund t’i jepnin fund luftës duke çuar në një paqe të qëndrueshme në vend”.