640 0 1732968338x122f062b 8e36 40f4 ae4b d2a002106b13 984

Partia Demokratike ka shpallur datën 23 dhjetor si ditën e protestës së radhës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas liderit të PD-së, Sali Berisha, kjo protestë do të shënojë fillimin e një faze të re të mosbindjes civile, duke synuar një presion më të fuqishëm ndaj qeverisë aktuale.

Berisha konfirmoi pjesëmarrjen e tij fizike në protestë dhe theksoi se skenarët për zhvillimin e saj do të përcaktohen nga grupi i organizimit.

“Edi Rama kërkon të grabisë mandatin e katërt, ashtu si Lukashenko. Data 23 dhjetor do të shënojë ditën e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi ynë. Modalitetet e protestës do të vendosen në mënyrë të kujdesshme nga grupi përgjegjës,” deklaroi Berisha në një konferencë për mediat.

Në të njëjtën dalje, Berisha paralajmëroi punonjësit e administratës shtetërore që mund të përfshihen në aktivitete elektorale të paligjshme, duke i quajtur ata “terroristë elektoralë” dhe duke premtuar ndëshkime të rënda.

Nga akuzat e tij nuk shpëtoi as kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit SPAK ka nisur hetime për pasurinë. Berisha denoncoi gjetjen e 230 mijë eurove dhe akuzoi Veliajn për përfitime të paligjshme.

“U censurua lajmi i gjetjes së parave. Veliaj po justifikohet duke përmendur shitje të ndryshme, por të gjitha janë të ardhura të vjedhura,” tha ai.

Berisha gjithashtu u ndal te zhvillimet ndërkombëtare, duke shprehur shpresën se zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA do të ndikojë në heqjen e sanksionit ndaj tij, të njohur si “Non Grata”.

“Ne do të bëjmë përpjekjet tona, por gjithçka varet nga puna që do të nisë administrata e presidentit Trump,” u shpreh Berisha.

Ndërkohë, PD ka paralajmëruar një axhendë intensive takimesh me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke përfshirë dhe diasporën, si pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights