Partia Demokratike mbledh këtë të hënë, më 16 mars, Kryesinë e partisë, një ndër organet kryesore vendimarrëse pas Kuvendit Kombëtar.
Kryesia e PD-së do të mblidhet në orën 12:00, ku pritet të diskutohet vijimi i aksionit opozitar të kësaj force politike, që siç e kemi parë kohët e fundit, i ka intensifikuar protestat kombëtare.
Protesta e radhës do të mbahet më 22 mars.
Megjithatë do të ketë diskutime edhe për sa i përket riorganizimit të PD-së dhe zgjedhjeve të brendshme që do të mbahen në parti brenda pak muajsh.
“Në këtë mbledhje të Kryesisë ka edhe tema diskutimi përsa i përket riorganizimit të Partisë Demokratike, dhe kryesisht dhe përsa i përket zgjedhjeve të brendshme që pritet të mbahen në PD vetëm brenda pak muajsh.
Në rendin e ditës do të ketë vendimmarrje përsa i përket çeljes së procesit zgjedhor në PD dhe përsa i përket dhe organizimit të strukturave për të përgatitur procesin zgjedhor brenda PD-së. Zgjedhje këto që mbahen për të zgjedhur drejtuesit e strukturave të PD-së por sigurisht edhe kryetarin e ri të PD-së, ku z.Berisha tashmë e ka bërë publike që ai vetë do të jetë një nga kandidatët që do të garojë përsëri për postin e drejtuesit”.
Diskutimet do të përfshijnë edhe miratimin e datës se kur do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar i PD-së. Po ashtu, në rendin e ditës së sotme, do të jetë edhe ngritja e një grupi pune, i cili do të shërbejë për të miratuar ndryshime statutore.
Në orën 14:00, pritet të mblidhet gjithashtu edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, një mbledhje rutinë e cila zhvillohet gjithmonë një ditë përpara seancave plenare, në mënyrë që deputetët të koordinohen mbi qëndrimet që do të mbajnë në Parlaament.
