Byroja e Kuvendit do të mblidhet sot në orën 11:00 për të shqyrtuar ankimimin e deputetëve të përjashtuar të Partisë Demokratike.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që mbledhja të jetë e hapur.
“Në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, në kuadër të transparencës dhe interesit të opinionit publik, si dhe ndjeshmërisë së çështjeve për diskutim, kërkoj që mbledhja e sotme e Byrosë së Kuvendit, në orën 11:00, të zhvillohet me praninë e medieve dhe gazetarëve”, thuhet në kërkesën e depozituar nga deputeti Belind Këlliçi, në emër të grupit parlamentar të PD-së.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën ka përjashtuar gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçin, Albana Vokshin, Klevis Balliun, Elda Hotin, Flamur Nokën dhe Fidel Krekën, pas kaosit të krijuar në Kuvend seancën e 18 dhjetorit.
