Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë Tiranë, Roland Bejko, i bëri thirrje, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, AMA-s dhe mediave, të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
“Ne kërkojmë nga këto insitucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo subjekti politik, të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e Partisë Demokratike, në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të formacioneve të ndryshme elektorale”, u shpreh në një deklaratë për shtyp drejtore e Komumikimit së fushatës së kandidatit Bejko, Mirela Karabina.
Sipas saj, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat,Roland Bejko, i njohur dhe i regjistruar në këto zgjedhje sipas të gjitha ligjeve në fuqi dhe në zbatim të kodit zgjedhor shqiptar.
“Ne do të marrim të gjitha masat ligjore për të mbrojtur identitetin e Partisë Demokratike, identitin e së djathtës shqiptare që ajo përfaqëson. Partia Demokratike ka paraqitur sot ankesë në lidhje me keqinfomimin e disa subjekteve mediatike”, shtoi Karabina.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje mediave dhe insitucioneve që monitorojnë ato, të zbatojnë parimin e hapësirave televizive sipas parimit “par condicion” për subjektin politik Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare dhe të gjithë kandidatëve të saj për këshillat bashkiak dhe kryetar bashkie”, deklaroi Karabina.
Në ankesën lidhur me keqinformimin nga disa subjekte mediatike drejtuar institucioneve, kryetari në detyrë i PD-së, Enkelejd Alibeaj shkruan se “pavarësisht qartësisë së prodhuar nga institucionet e cituara më lartë konstatojmë se disa media audiovizive me frekuencë kombëtare në raportimet e tyre lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike, i referohen deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, si “Kryetar i Partisë Demokratike”, “Partia Demokratike Grupi i Rithemelimit” “Fraksioni i rithemelimit në Partinë Demokratike” etj”.
“Megjithëse drejtimi i Partisë Demokratike dhe mosregjistrimi i grupimit të vetëquajtur “Rithemelimi” si subjekt zgjedhor këto janë fakte publike, të njohura dhe të raportuara nga vetë subjektet mediatike, këto të fundit vazhdojnë që në shkelje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, t’i referohen z. Berisha, si kryetar i Partisë Demokratike dhe të përdorin në emisioniet informuese qëndrime që nuk përkojnë me realitetin ligjor dhe zgjedhor. Kjo sjellje përvecse përbën keqinformim, krijon konfuzion të qytetarëve, përsa i përket lidershipit zyrtar të kësaj force politike, pjesmarrjes në zgjedhje dhe kandidaturave të mbështetura nga ana e saj, duke passjellë cënimin e interesit publik”, thuhet në ankesë.

