Teksa në Komisionin e Ligjeve po diskutohet projektligji “Për garantimin e pastërsisë së figurës të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, deputeti Enkelejd Alibeaj tha se hapja e dosjeve dhe lustacioni s’duhet të kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve.

“Ajo që unë doja të thoja është fakti që kur bëhet fjalë për dekomunistizim, për procesin e dënimit të diktaturës komuniste, e mira por edhe praktika e Europës lindore do të duhet të sjellë një paketë të plotë. Nuk kemi sjellë pjesë të vogël projektligji por paketë të plotë. Përveç ligjit të hapjes së dosjeve kemi paraqitur edhe një projektligj tjetër për burgun e Spaçit dhe për propagandën komuniste e i fundit është ky.

Enkelejd Alibeaj ka dhënë detaje në Komisionin e Ligjeve se çfarë parashikon projektligji i propozuar nga PD për pastërtinë e figurës publike duke thënë se të gjithë funksionarët duhet t’i nënshtrohen procesit. Kushdo që zgjedh të mos i nënshtrohet, Alibeaj thotë se mund të largohen në heshtje dhe çështja të mos bëhet publike, por janë të detyruar që rrëfejnë të vërtetën.

“Nuk bëhet ky ligj për hakmarrje por për të treguar të vërtetën dhe për t’i ndaluar atyre njerëzve që kanë kryer krime të jenë të veshur sot me veladorin e funksionarit publik. Për çdo funksionar nga Presidenti deri te më i fundit që do e ketë detyrim t’i nënshtrohet këtij procesi, nëse ka kurajo intelektuale se e di çfarë ka bërë në atë kohë dhe zgjedh të mos i nënshtrohet, duhet të largohet nga detyra ka dhe një benefit të vogël, çështja nuk bëhet publike. Këta individë me heshtjen e tyre të mos përdoren metoda të diktaturës së linçimit, secili vijon punën e vet dhe nuk i qaset më funksionit publik.

Çdo individ që zgjedh të mos bëjë çështjen e vet publike, ka detyrim për të bërë rrëfim për atë që ka ndodhur se e vërteta do të duhet të dalë e dokumentohet. Masa e ndalimit që individë të tillë të mos jenë në administratë publike të jetë 15 vite. Kushdo që është i pakënaqur nga vendimmarrja e Autoritetit përkatës, mund t’i drejtohet gjykatës dhe kjo është diçka e pamohueshme dhe i jepet edhe kriminelit më të zi”, tha Alibeaj.

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj thotë në Komisionin e Ligjeve se procesi i lustracionit të mos jetë kolektiv ku futen të gjithë në një thes, por të gjykohen aktet dhe veprat që kanë bërë ish Sigurimsat.

“Procesi i lustracionit të mos jetë kolektiv ku të gjithë futen në një thes se do të ishte përsëritje e proceseve gjyqësore politike që Sigurimi i Shtetit bënte në atë kohë dhe ne sot duhet ta dënojmë. Instrumenti që duhet të zgjedhim duhet të jetë i profilizuar. Në këtë projektligj kemi bërë këtë zgjedhje, s’do të mjaftonte thjesht të ishe i skanuar diku si bashkëpunëtor ose spiun i Sigurimit të Shtetit, duhet të vërtetohen aktet konkrete që ke bërë në atë detyrë. Kjo është një risi që duhet përshëndetur. Nuk gjykojmë vetëm njeriun, por aktet, veprat, pasojat.

Kemi parashikuar një proces. Çdo i zgjedhur, deputet, inistër, anëtar i administratës, t’i nënshtrohen procesit pa bërë shqyrtim kolektiv dhe pa konkluduar se cfarë ka bërë kush”, tha Alibeaj.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights