Miliarderi Elon Musk, pas zhgënjimit që ka pësuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë administratën e këtij të fundit.
Largimi i tij nuk është dhe kaq i befasishëm, pasi roli i tij në Shtëpinë e Bardhë ishte i përkohshëm.
Sakaq, ai lajmëron se DOGE nuk do të “zhduket”. Falenderues është dhe ndaj Trump, pavarësisht se politikat e tij duket se nuk i kanë pëlqyer shumë Musk-it.
“Ndërsa koha ime e planifikuar si Punonjës i Posaçëm Qeveritar po mbaron, do të doja të falënderoja Presidentin @realDonaldTrump për mundësinë për të zvogëluar shpenzimet e panevojshme.
Misioni @DOGE vetëm sa do të forcohet me kalimin e kohës, ndërsa do të bëhet një mënyrë jetese në të gjithë qeverinë”, shkroi Musk në X.
Një ditë më parë, Musk u shpreh për CBS News se ndihet i zhgënjyer ndaj Trump-it, pasi sipas tij, politikat e Presidentit hedhin poshtë punën e bërë prej DOGE. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë raporti mes kësaj dyshe pas këtij largimi.