Kur Titaniku u nis në udhëtimin e tij të parë fatkeq në prill të vitit 1912, ishte anija më e madhe, më luksoze dhe më e avancuar teknikisht që kishte lundruar ndonjëherë.
Centrali elektrik i saj prodhonte më shumë energji se një termocentral mesatar i qytetit në atë kohë dhe veçoritë përfshinin banja turke, një pishinë, palestër, dhe madje edhe në klasin e tretë, disa nga akomodimet më të mira të disponueshme në det.
Tani, 114 vjet pasi anija u përplas me një ajsberg dhe u mbyt në Atlantikun e Veriut, planet teknike dhe vizatimet e përdorura për ndërtimin e saj do të bëhen të disponueshme për publikun për herë të parë.
BBC shkruan se ato janë pjesë e qindra mijëra planeve dhe dokumenteve të anijeve që po bëhen gjerësisht të aksesueshme.
Titaniku, së bashku me anijet motra Olympic dhe Britannic, u projektua në zyrën e vizatimeve të kantierit detar Harland & Wolff në Belfast, i cili sot është kthyer në një hotel.
Dizajnet dhe vizatimet janë pjesë e arkivit të planeve të Harland & Wolff.
Ky arkiv ruhet në Muzeun Popullor të Ulsterit dhe po bëhet i disponueshëm nga Muzeumet Kombëtare të Irlandës së Veriut (NMNI).
Kur u mbyt Titaniku?
Mbi 1 mijë e 500 persona humbën jetën kur Titaniku u mbyt në udhëtimin e tij të parë në vitin 1912.
Anija u përplas me një ajsberg gjatë rrugës nga Southampton drejt New York-ut dhe u mbyt brenda pak orësh.
Historia e mbytjes më vonë u shndërrua në një film që do të fitonte një çmim Oscar me aktorët kryesore, Leonardo Di Caprio dhe Kate Winslet.
Edhe pse anija kishte mjaft varka shpëtimi për të përmbushur rregulloret detare të kohës, ato kishin kapacitet vetëm për gjysmën e pasagjerëve që ndodheshin në bord atë natë.
Anija kishte gjithashtu ndarje të papërshkueshme nga uji dhe mund të qëndronte mbi ujë nëse deri në katër prej tyre do të dëmtoheshin.
Këto veçori sigurie bënë që shumë ta konsideronin Titanikun si “të pafundosshëm”. Pas përplasjes me ajsbergun, pesë ndarje u dëmtuan, duke çuar në mbytjen e anijes.

Mbetjet e saj u zbuluan në fundin e oqeanit në vitin 1985 nga një ekip i udhëhequr nga Dr. Robert Ballard.
Ajo ndodhet në një thellësi prej rreth 2.5 miljesh (4 km), rreth 370 milje (595 km) larg bregut të Newfoundland, Kanada.
Arkivi përmban gjithashtu planet e anijeve motra.
Anija HMHS Britannic pati gjithashtu një fund tragjik, e mbytur nga një minë gjermane në vitin 1916 ndërsa shërbente si anije spital gjatë Luftës së Parë Botërore.
Por RMS Olympic, e nisur një vit para Titanikut, shërbeu si anije transatlantike për kompaninë White Star për 24 vjet.

Harland & Wolff filloi operacionet në 1861 dhe dikur ishte një nga kantieret më të mëdha të anijeve në botë.
Arkivi i saj përmban qindra mijëra plane, vizatime dhe dokumente që detajojnë mënyrën se si anijet u projektuan dhe u ndërtuan. Arkivi ruhet në Depozitën e Koleksioneve Cultra në Muzeun Popullor të Ulster-it.
Një projekt i madh për katalogimin e arkivit, i quajtur “Nga tavolina e vizatimeve te shtrati i lëshimit“, është gjithashtu në zhvillim, me financim nga programi i granteve Archives Revealed.

Në një deklaratë, arkivistja e projektit Siobhan McLaughlin tha se kjo do të “zbulojë historitë e fshehura të trashëgimisë së Belfastit në ndërtimin e anijeve”.
Projekti është mirëpritur edhe nga drejtori i operacioneve në Navantia UK Harland & Wolff, Alex Haley.
Kjo kompani e bleu kantierin historik në vitin 2025.
Publiku do të ketë mundësi të aksesojë planet e anijes online, si dhe të bëjë takime për të vizituar planet dhe koleksionin e Harland & Wolff.
